Milani fiton ndaj Peskarës, frenohet Roma

30/10/2016 00:00

Kuqezinjtë e Milanit kanë dalë fitues ndaj Peskarës në një ndeshje në të cilën kanë vuajtur shumë.

Pas një pjese të parë pa gola, Bonaventura ka kaluar në avantazh kuqezinjtë në të 49’ duke ekzekutuar në mënyrën më perfekte të mundshme një goditje dënimi në hyrje të zonës, duke e kaluar topin poshtë këmbëve të murit të formuar nga mbrojtja e Peskarës.

Por lojtarët e drejtuar nga Massimo Oddo nuk janë dorëzuar, duke shënuar dy herë në portën e Milanit, por që u anuluan për pozicion jashtë loje. Goli i parë i anuluar ka qenë i Ahmad Benalit, i cili ndodhej në një pozicion të dyshimtë.

Goli i dytë i anuluar nga Daniele Doveri u shënua nga shqiptari Rey Manaj, i cili shtyu në portë një top të kthyer nga Donnarumma, i cili sapo kishte pritur me vështirësi një gjuajtje nga jashtë zone të shqiptarit tjetër, Ledian Memushaj.

Me këtë fitore Milani ka ruajtur vendin e tretë dhe diferencën prek 5 pikësh me kryesuesen e Seria A, Juventus.

Ndërkohë që Roma është ndalur në një barazim pa gola në transfertë ndaj Empolit, kjo e fundit edhe pse ka dominuar lojën nuk ka arritur të gjejë rrjetën e golit.

Top Channel