Apeli për bombolat e gazit, zjarrfikëset: Shmangni pikat e palicencuara

30/10/2016 00:00

Ulja e temperaturave dhe afrimi i stinës së dimrit rrit konsumin e gazit për ngrohje në familjet shqiptare. Marrë shkas nga eksperiencat e viteve të fundit, ku bombolat e pakolauduara janë bërë burim kryesor i zjarreve në banesa, shërbimet zjarrfikëse kanë një apel për qytetarët.

“Shikojmë që ka një tendencë për mbushjen dhe rimbushjen e bombolave në pika të palicencuara. Apeli ynë për qytetarët është të mos i mbushin bombolat në autogaze, pasi kjo është e rrezikshme për jetën dhe pronën e tyre”, tha Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë.

Gjithashtu shërbimi zjarrfikës ka ushtruar inspektime edhe në institucionet arsimore.

“Në këto institucione ka nevojë për më shumë pajisje kundër zjarrit, megjithatë situata është e kënaqshme. Vjet kemi pasur dy zjarre në një kopsht dhe një gjimnaz, të cilat janë shuar nga vet stafi dhe nxënësit”, tha më tej Shkëlqim Goxhaj.

Ndërkohë, shërbimi zjarrfikës i kryeqytetit vijon trajnimet me nxënësit e shkollave të mesme për reagimin në situata zjarri.

Top Channel