Tërmeti në Itali, problem alarmant mbetet strehimi i personave të prekur

30/10/2016 00:00

Me kalimin e orëve, paniku pas tërmetit me magnitudë 6.5 që goditi mëngjesin e së dielës zonat qendrore të Italisë, u zëvendësua nga shqetësimi për lëkundje të tjera dhe për organizimin e ndihmave.

Ky tërmet i fundit ishte më i fortë sesa ai i Aquilës në vitin 2009, që shkaktoi vdekjen e 309 personave, si dhe më i forti i regjistruar në vend nga viti 1980. E megjithatë, për fat të mirë nuk regjistrohen viktima, por vetëm dhjetëra të plagosur dhe dëme të rënda materiale.

Zonat e prekura janë po ato të tërmetit të gushtit dhe të 26 tetorit, si dhe një pjesë e godinave që patën mbetur në këmbë, të cilat janë rrëzuar pas lëkundjeve të sotme. Në fakt, tani konsiderohet alarmant problemi i strehimit.

Kryetari i rrethit Marche deklaroi se nëse lëkundjet nuk ndalen, rrezikohet që nga 10 mijë, të pastrehët të bëhen 100 mijë, pikërisht tani në prag të dimrit. Po punohet për shpërndarjen e personave në zona të ndryshme dhe sistemimin e tyre nëpër hotele, palestra, pallate sporti, e deri në vagonë trenash. Për shkak të temperaturave të ulëta që priten, Mbrojtja Civile ka vendosur që të mos rimontohen çadrat.

Specialistët flasin për një fenomen sizmik në vazhdim të tërmetit të gushtit dhe të javës së kaluar, e që rrezikon të vazhdojë. Ata patën paralajmëruar për rrezikun e lëkundjeve të forta, gjë që u konfirmua sot në orën 7:40 të mëngjesit, kur filluar dridhjet që ende vazhdojnë.

Top Channel