Pakti BE-Kanada, gjithçka gati për firmën

30/10/2016 00:00

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, më në fund i është drejtuar Belgjikës për të firmosur një marrëveshje historike tregtare, por të vonuar ndjeshëm, me Bashkimin Europian.

Trudeau do të marrë pjesë në një samit në Bruksel për ceremoninë e firmosjes, që ishte planifikuar për të enjten e shkuar, por që u shty për shkak të kundërshtimit të një prej krahinave belge. Të premten u arrit më në fund konsensusi dhe, pas peripecive të fundit, BE-ja dhe Kanadaja janë gati të finalizojnë “Marrëveshjen gjithëpërfshirëse ekonomike dhe tregtare”, e njohur shkurt me siglën “CETA”.

Pakti eliminon 99% të tarifave, ndërsa zyrtarë nga të dyja palët shpresojnë që do të gjenerojë të ardhura shtesë prej 12 miliardë dollarësh në vit. Marrëveshja duhej të firmosej që sot, por u shty pasi avioni i kryeministrit kanadez u kthye pas në aeroportin e kryeqytetit Ottawa, pas një problemi mekanik.

Sidoqoftë, kreu i qeverisë kanadeze raportohet të jetë nisur sërish drejt Europës për të firmosur paktin, për të cilin u deshën 7 vite negociata. Marrëveshja rrezikoi seriozisht që të dështonte, pasi krahina frankofone Wallonia në Belgjikë kërkoi masa më të mira mbrojtëse për vendet e punës, ambientin dhe standardet e jetesës.

Kjo krahinë rebele kërkoi gjithashtu më shumë siguri për fermerët e saj, që do të përballen me konkurrencën e importeve kanadeze. Pas bisedimeve maratonë, kryeministri belg Charles Michel tha se u ra dakord me të gjitha palët për një shtesë në pakt, që zgjidh shqetësimet rajonale, një zhvillim që i hapi rrugën firmosjes përfundimtare të paktit.

Top Channel