Bale rinovon me Realin deri në vitin 2022

30/10/2016 00:00

Real Madrid po vazhdon politikën e vazhdimësisë dhe ka zyrtarizuar të dielën rinovimin e kontratës së një tjetër lojtari shumë të rëndësishëm në sukseset e fundit të skuadrës. Bëhet fjalë për Gareth Bale, që do të vazhdojë aventurën e tij me kampionët në fuqi të Evropës deri në verën e vitit 2022.

Pra, kontrata e sulmuesit uellsian do të përfundojë kur të ketë mbushur 33 vjeç. “Reali i Madridit dhe Gareth Bale kanë arritur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës deri në 30 qershor 2022”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit madrilen.

Të hënën, në orën 13:30, Bale do të dalë në konferencë shtypi, ashtu siç kanë bërë përpara tij edhe Toni Kroos, Luka Modric apo Lucas Vázquez, të cilët kanë zgjatur kontratat respektive me klubin spanjoll kohët e fundit.

Gareth Bale iu bashkua Realit në vitin 2013 dhe kishte një kontratë të vlefshme deri në vitin 2019. Deri tani, uellsiani ka fituar me fanelën e bardhë 2 Champions League, 1 Kupë Mbreti, 1 Superkupë Europe dhe 1 Botëror Klubesh.

Top Channel