Shmanget atentati ndaj Vuçiç. Zbulohen armë e municione afër banesës së tij

30/10/2016 00:00

Policia serbe ka zbuluar një arsenal armësh në afërsi të shtëpisë së familjes së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç. Hetuesit janë duke analizuar sesi ka ndodhur ngjarja.

Hetuesit serbë janë duke hetuar të gjitha pistat e dyshimit dhe po bëjnë edhe analizat e ADN-së së gjurmëve, nga armët që janë gjetur në një zonë malore në afërsi të shtëpisë së kryeministrit.

Policia thotë se, vetëm 15 metra nga shtëpia e babait të Vuçiç, në një kthesë ku zakonisht duhet ulur shpejtësia, janë gjetur shumë armë të vendosura në arka. Një minahedhës, 4 bomba dore dhe 100 plumba, municion për armë automatike dhe armë të kalibrit të lartë, si dhe 15 plumba të një kalibri të panjohur.

“Jam i brengosur për këto ngjarje, pasi këto armë përdoren për të sulmuar makina të blinduara. Vendi ku janë gjetur është i përkryer për atentat”, tha Nebojsa Stefanoviç, ministër i Policisë në Serbi.

Vuçiç dhe familja e tij janë të sigurtë. Ai ka thënë se, nëse nuk ka rezultate nga ADN-ja, atëherë është e qartë se kush mund ta ketë bërë.

“Aty ka fëmijë dhe mund të gjenin armët. Kjo më brengos më së shumti. Është e çuditshme që armët të gjenden dhe të mos ketë gjurmë. Nuk dua të shpall gjendjen e jashtëzakonshme, pasi Serbia nuk ekziston vetëm për mua”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeminstër i Serbisë.

Shefi i diplomacisë, Ivica Daçiç ka thënë se duhet bërë kujdes, pasi historia përsëritet gjithmonë.

Për atentatet ndaj Vuçiç është spekuluar disa herë nga mediat proqeveritare. Pas incidentit në zgjedhjet e Malit të Zi dhe përgjimit të kryeministrit Milo Djukanoviç, Vuçiç pati deklaruar se ka pasur grupe nga Serbia në planet për grusht shteti në Podgoricë dhe se shërbimet sekrete kanë shtuar aktivitetin në territorin serb.

Top Channel