Turqi, spastrimi nuk njeh kufij. Edhe 10 mijë nëpunës civilë të shkarkuar

30/10/2016 00:00

Autoritetet turke kanë shkarkuar më shumë se 10 mijë nëpunës civilë të dyshuar për lidhje me klerikun mysliman që jeton në Amerikë, Fethullah Gulen, i fajësuar nga Ankaraja si orkestruesi i grushtit të dështuar të shtetit në korrik të këtij viti.

Mijëra akademikë, mësues dhe punonjës të shërbimit shëndetësor kanë rënë prè e dekretit të ri emergjent, të publikuar nga “Official Gazette” mbrëmjen e vonë të së shtunës, ndërkohë që 15 filiale mediatike janë mbyllur gjithashtu, shumica e të cilave mbulonin zhvillimet në juglindjen e vendit të dominuar nga kurdët.

Përmes dekretit të ri, zgjedhjet për për rektorët e rinj të universiteteve janë hequr. Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të përzgjedhë në mënyrë të drejtpërdrejtë mes kandidatëve të nominuar nga Bordi i Lartë i Edukimit (YOK).

Turqia ka arrestuar më shumë se 37 mijë persona, ndërsa ka shkarkuar apo pezulluar nga puna rreth 100 mijë nëpunës civilë, gjykatës, prokurorë, policë dhe të tjerë, në atë që konsiderohet si një spastrim i paprecedentë, që qeveria e argumentoi si të domosdoshëm për të “zhdukur nga rrënjët” të gjithë mbështetësit e Gulenit nga postet kyçe në aparatin shtetëror.

Gjendja e emergjencës e vendosur menjëherë pas përpjekjes së përgjashme për grusht shteti në korrik është shtyrë edhe me 3 muaj të tjerë, deri në janar të 2017-s, pasi Erdogan tha se autoriteteve u nevojitej më shumë kohë për të shuar kërcënimin e shfaqur nga rrjeti i Gulenit, sikurse edhe nga militantët kurdë që kanë ndërmarrë një kryengritje thuajse 32-vjeçare ndaj regjimit aktual në Turqi.

Numri i përgjithshëm i mediave të mbyllura që prej fillimit të gjendjes së emergjencës ka shkuar tashmë në mbi 160. Shkalla e këtij spastrimi ka shqetësuar grupet e të drejtave të njeriut, sikurse edhe një pjesë të mirë të aleatëve perëndimorë, të cilët i druhen faktit se Erdogan po e shfrytëzon atë për të përndjekur disidentët.

Qeveria turke, nga ana e saj, thotë se veprimet janë të justifikuara me kërcënimin ndaj shtetit, siç ishte ai i 15 korrikut kur mbetën të vdekur më shumë se 240 njerëz. Ankaraja kërkon nga Shtetet e Bashkuara arrestimin dhe ekstradimin e Gulenit, në mënyrë që ai të gjykohet në Turqi rreth akuzës për “ideimin” e përpjekjes për të rrëzuar pushtetin. Gulen, i cili jeton në ekzil të vetimponuar në Pensilvani që prej 1999-s, mohon përfshirjen në atë grusht shteti.

Top Channel