FBI është këshilluar të mos e publikonte hetimin ndaj Clintonit

30/10/2016 00:00

FBI-ja u këshillua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që të mos informonte Kongresin për hetimin e ri të postës elektronike të Hillary Clintonit. Zyrtarë të këtij departamenti thanë se, kjo lëvizje bie ndesh me rregullat, që shmangin ndërhyrjet në zgjedhje.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, drejtori i FBI-së James Comey veproi në mënyrë të pavarur, kur përmes një letre informoi Kongresin për zhvillimet e reja. Vet Comey, në komentet e tij të mëparshme mbrojti vendimin e marrë dhe tha se, nëse hetimi nuk bëhej publik kjo mund të krijonte keqkuptim, pasi FBI-ja nuk ka ende dijeni për përmbatjen e “e-mail”-eve të zbuluara së fundmi.

Sidoqoftë, Comey gjendet tashmë nën presion të madh, pasi jo vetëm Clinton, por një sërë demokratësh, mes të cilëve senatorë veteranë, i kanë shkruar atij dhe prokurores së Përgjithshme, Loreta Lynch, që të japin më shumë detaje për hetimin deri të hënën.

Sipas tyre, vendimi për të publikuar rihapjen e çështjes më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, po përdoret për qëllime politike. Kandidatja demokrate për Presidencën, Hillary Clinton tha se veprimi i FBI-së ishte jo vetëm i çuditshëm, por edhe i paprecedentë.

Ish-Sekretarja e Shtetit sugjeroi se publikimi i hetimit mund të ndikojë jo pak në zgjedhje, duke qenë se votuesit meritojnë të dinë gjithçka dhe për momentin nuk dinë ende asgjë. Vendimi i FBI-së, sigurisht që u mbështet fuqishëm nga kandidati republikan Donald Trump, i cili veç akuzave për Clintonin dhe sjelljen e saj kriminale, sulmoi edhe Departamentin e Drejtësisë, për të cilin tha se po mbron rivalen e tij përmes një sistemi të manipuluar.

Top Channel