Top Channel realizoi dëshirën e dy fëmijëve të cilët kërkonin të lumturonin babain e tyre. Besarti dhe Triera Ismaili iu drejtuan emisionit “Dua të të bëj të lumtur” që të bënin një befasi Ismail Kasumit që merret prej gjysmëshekulli me zhytje.

Ismaili ka nxjerrë rreth 550 trupa të pajetë duke i dalë në ndihmë shumë familjeve të ndryshme. Nisur nga një histori e tij në moshën 12-vjeçare kur për pak humbi jetën në Bistricë, e ëma i kërkoi që të mos futet në ujë, një premtim të cilin e mbajti për një vit dhe e theu pas bekimit të nënës.

Në “Dua të të bëj të lumtur”, ai tregoi se kishte shkuar për një viktimë në Kërçovë të Maqedonisë dhe se nëna i kishte lënë porosi që të mos i merrte para asj familje, por asnjërës asnjëherë.

Ai këtë premtim nuk e theu dhe thotë se mjaftohet me falënderimet dhe uratat e familjarëve të atyre personave që i nxori gjatë këtyre 50 viteve si zhytës. Por, “Dua të të bëj të lumtur” mendoi që ka ardhur koha që Ismaili të shoh bukurinë e botës nënujore duke bërë që të harrojë ato pamjet e trishtueshme.

Jemi të lumtur edhe ne që ia dolëm t’i dhurojmë Ismailit një zhytje ndryshe nga të gjitha ato që kishte provuar. Një njeri që për vite me radhë ka shpëtuar shumë persona nga mbytja por edhe ka nxjerrë shumë kufoma u zhyt në akuariumin më madh në botë, në Dubai.

Top Channel