“Dua të të bëj të lumtur” ka nisur në Top Channel. Puntata e parë e këtij emisioni që do të zgjasë 10 javë filloi me historinë rrënqethëse të 8-vjeçarit nga Kukësi, Migers Syla.

Familja e Migersit është e përbërë nga prindërit Selvie dhe Sali, si dhe motra Klarisa. Është një familje e thjeshtë, me pak mundësi ekonomike, por e mbushur me dashuri, forcë dhe dinjitet.

Një vit më parë, Migersi shkoi të luante në shtëpinë ngjitur me shokët që i kishte si vëllezër. Nëna e tij po bënte punët e shtëpisë kur dëgjoi një të shtënë dhe më pas shumë klithma. Ajo pa shokun më të madh të djalit që bërtiste me fjalët: “Të kemi plagosur Gersin”!.

Ajo nisi të vraponte drejt shtëpisë së fqinjëve, ku pa djalin e saj të mbuluar me gjak. Ai, duke u mbështetur pas murit kërkonte forcat e fundit për të shkuar drejt nënës dhe t’i thërriste për ndihmë, para se të rrëzohej në tokë dhe të mbyllte sytë. Ajo e mori djalin në krahë ndërkohë që të gjithë bërtisnin: Ka vdekur, djali yt ka vdekur!. Por Selvia i shikonte dhe vazhdonte të vraponte duke i thënë vetes: “Jo, djali im nuk ka vdekur!”.

Që nga ky moment, për familjen Syla nisi një kalvar vuajtjesh. Djali u dërgua në Spitalin e Tiranës me një helikopter. Mjekët gjetën në gojën e tij disa plumba, me të cilat shokët e kishin plagosur padashje. Ai qëndroi në reanimacion për 7 ditë, pa mundur të hante apo të merrte frymë vetë, pa ndihmën e një aparati. Më pas e transferuan në Spitalin e Traumës, ku qëndroi për 43 ditë dhe ku ka bërë 2 ndërhyrjet e para.

Sot, Gersi ka ende probleme të mëdha dhe mbi të gjitha është një fëmijë që nuk mund të dalë më jashtë shtëpisë dhe të jetojë si gjithë shokët sepse i vjen turp dhe nuk mundet.

Ndaj, për këtë arsye “Dua të të bëj të lumtur” ka marrë për detyrë që t’i kthejë kësaj familje Gersin e para asaj ngjarjeje që i dha shumë vuajtje familjes Syla. Prindërit, të ftuar në studio, treguan se Gersi i është nënështruar disa ndërhyrjeve, ndërsa i është nënështuar shumë analizave të cilat i ka përballuar shumë mirë.

Kurimi i Gersit po vazhdon dhe nuk do të jetë shumë e largët dita kur ai do të hyjë në studio dhe të mbajë premtimin e tij: të përqafojë Arbanën dhe të jetë i lumtur.

Top Channel