F1, Hamilton do të niset i pari në Meksikë

29/10/2016 00:00

Nuk ka asnjë ndryshim nga ç’kemi parë deri më tani sa i përket provave zyrtare të Çmimit të Madh të Meksikës. Lewis Hamilton ka fituar “pole position” dhe pas tij, në vendin e dytë do të jetë shoku i skuadrës Nico Rosberg.

Në asnjë moment nuk e kanë vënë në diskutim kohën më të shpejtë pilotët e skuadrës Mercedes edhe pse në sesionin e dytë u krijua iluzioni i një Red Bulli kërcënues.

Në të vërtetë skuadra austriake mbetet aty shumë pranë Mercedes-it, me dy pilotët e saj në linjën e dytë të startit. Max Verstappen regjistroi kohën e tretë më të shpejtë, i ndjekur nga Ricciardo, kohë që ndahet nga pak të mijtat nga njëra-tjetra.

Holandezi në sesionin e dytë arriti të ishte më i shpejti përkohësisht sepse atëherë kur pilotëve të Mercedes-it i duhej të ishin më të shpejtë, ja dolën.

Ndërkohë ka zhgënjyer edhe në këtë fundjavë provash Ferrari. Pasi e filloi fundjavën me një kohë të shpejtë në provat e lira të ditës së premte me Sebastian Vettel, gjithçka u ezaurua dal nga dalë.

Në përfundim të provave zyrtare pilotët e kokëkuqes u renditën në vendin e 6-të dhe të 7-të, respektivisht Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel.

Megjithatë gjithçka mund të ndodh në Çmimin e Madh të Meksikës e cila starton të dielën në orën 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top News.

Top Channel