Liverpool nuk përmbahet, “poker” ndaj Crystal Palace

29/10/2016 00:00

Liverpool rikthehet te fitorja. Pas barazimit pa gola javën e kaluar ndaj United, të kuqtë kanë fituar 4-2 në transfertën ndaj Crystal Palace dhe mbajnë hapin me dy skuadrat kryesuese, City e Arsenal, që bashkë udhëheqin me nga 23 pikë.

Një pjesë e parë e çmendur ku tifozët u bënë dëshmitarë të një loje me ritme të larta dhe ku u shënuan pesë gola. Të kuqtë kalojnë në epërsi në minutën e 16 me Emre Can, ndërsa dy minuta më pas vendasit barazojnë me McArthur.

Luhej minuta e 21 dhe mbrojtësi Dejan Lovren rikthen epërsinë për skuadrën e Klopp duke çuar shifrat në 1-2. Por, McArthur realizon sërish me kokë për të barazuar shifrat në 2-2.

Por, në pushimin mes pjesëve, Liverpool shkon me epërsinë e një goli, pasi Matip rikthen epërsinë për herë të tretë.

Në pjesën e dytë, të kuqtë arrijnë të administrojnë më mirë ndeshjen, duke eliminuar gabimet në mbrojtje dhe me Firminion që shënoi në të 71-n vulosin fitoren në shifrat 2-4.

Top Channel