“Djajtë” e bëjnë dramë, Mou s’përmbahet. Guardiola rigjen fitoren

29/10/2016 00:00

Manchesteri ndahet sërish në dy pjesë, ku në njërën festohet, ndërsa në tjetrën ka zhgënjim. Pas fitores në mesjavë në Kupë ndaj “qytetarëve”, u mendua se United u rikthye, por “djajtë” e bëjnë sërish dramë pasi Burnely i ndal në barazim 0-0 në “Old Trafford”.

Në fund të 90 minutave, skuadra e Mourinhos kishte 36 gjuajtje drejt portës, 13 prej të cilave në kuadrat, dy shtylla, ndërsa pretenduan për dy penallti të cilat nuk u dhanë nga gjyqtari.

Vet “Speciali” nuk u përmbajt, duke protestuar ashpër ndaj gjyqtarëve të cilët e çuan në tribuna për të parë pjesën e dytë, ndërsa në të 68-n Herrera u ndëshkua me të kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijtë me 10 lojtarë.

Fitorja e fundit e United në kampionat daton para më shumë se një muaji ndaj Leicester, duke bërë që në 4 ndeshjet e fundit të marrë vetëm 3 pikë, duke shënuar 1 gol dhe duke pësuar 5.

Ndërkohë, Manchesteri i Guardiolës rikthehet të fitorja. City fiton 4-0 në transfertën ndaj West Brom duke mbetur në krye të renditjes më pikë të barabarta me Arsenalin e vendit të dytë.

Pas përplasjeve të fundit me trajnerin, Aguero realizoi dopietë, njëjtë sikurse Gundogan për të çuar “qytetarët” në kuotën e 23 pikëve, që kryeson falë golaverazhit.

Tottenham harron të fitojë në kampionat. Skudra e Pochettinos barazon 1-1 në shtëpi me kampionët Leicester. Janssen i dha epërsinë “gjelave” në pjesën e parë nga pika e bardhë, por miqtë barazojnë me Musën në fillim të pjesës së dytë.

Ky barazim është rezultati i parë pozitiv që Ranieri merr në transfertë këtë sezon, pasi në 4 përballjet e kaluara i ka humbur që të gjitha. Ndërsa për Tottenham është barazimi i tretë radhazi, por vazhdon të jetë skuadra e vetme pa humbje në kampionatin anglez.

Në ndeshjet e tjera, Middlesbrough shënon fitore të rëndësishme 2-0 në shtëpi ndaj Bournemouth, ndërsa edhe Watford i Mazzarrit fiton minimalisht 1-0 ndaj Hull.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel