Pakti tregtar BE-Kanada, të dielën firmoset marrëveshja

29/10/2016 00:00

Marrëveshja e shumëpritur për tregtinë e lirë mes Kanadasë dhe Bashkimit Europian do të nënshkruhet gjatë një samiti në Bruksel, të dielën.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau e cilësoi këtë si një lajm të mrekullueshëm dhe tha se priste me padurim ceremoninë, që fillimisht ishte planfikuar për të enjten, por u anulua pas vetos së rajonit të Valonisë në Belgjikë.

Pas bisedimeve maratonë, më në fund qeveria belge arriti një kompromis me autoritetet rajonale, çfarë do të lejojë 28 shtetet anëtare të BE ta aprovojnë zyrtarisht marreveshjen.

“Mision i përfunduar”, ishte mesazhi i presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk. Në mënyrë që marrëveshja e njohur si CETA të miratohet, të gjitha shtetet anëtare të BE duhet ta mbështesin atë.

Por 7 vite negociata u lanë pezull pasi rajoni frankofon belg i Valonisë kërkoi masa më të forta mbrojtëse sa i përket punës, mjedisit dhe standardeve të konsumatorëve.

Autoritetet rajonale kërkuan gjithashtu më shumë mbrojtje për fermerët e Valonisë, përballë konkurrencës së importeve kanadeze.

Të enjten kryeministri belg Charles Michel njoftoi se negociatat e gjata ishin mbyllur me një kompromis që adresonte edhe shqetësimet rajonale.

Per liderin sllovak, Robert Fico, vendi i të cilit mban presidencën e radhes të BE-së, aprovimi përfundimtar i marrëveshjes ishte një gur themeli në politkën tregtare të BE-së.

Problemet që dolën në pah lidhur me CETA-n kanë ngritur shqetësimet për negociatat e ardhshme të Britanisë së Madhe me Unionin, mbi një marrëveshje të mundshme tregtare pas Brexit-it.

Top Channel