Nuk ka solidaritet me komunistët, asnjë ndihmë Koresë për përmbytjet

29/10/2016 00:00

Katastrofat natyrore të ndodhura së fundmi nëpër botë kanë nxitur solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar, por kur vjen puna për Korenë e Veriut situata ndryshon.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Kryqit të Kuq për ta ndihmuar Korenë e Veriut në përballimin e emergjencës si pasojë e përmbytjeve të rënda, reagimi ka qenë shumë i vogel.

Të paktën 133 vetë humbën jetën e të pakten 600 mijë janë prekur nga katastrofa e shkaktuar si pasojë e reshjeve të dendura në fund të gushtit e fillim të muajit shtator.

Ndërsa apelet për ndihmë në prag të sezonit të dimrit, kur situata pritet të vështirësohet edhe më shumë, po shkojnë në vesh të shurdhërt, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe është detyruar të reduktojë fushën e veprimit.

“Reagimi ka qenë tepër zhgënjyes. Bëmë thirrje për grumbullimin e 15.4 milionë dollarëve për t’u ardhur në ndihmë 300 mijë njerëzve përgjatë një viti, por na u desh të reduktonim fushën e veprimit të programit tonë, pasi kemi mbledhur vetëm 3.8 milionë”, deklaroi Patrick Fuller, përfaqësues i Kryqit të Kuq.

Vetë qeveria koreano-veriore ka premtuar ndërtimin e 20 mijë banesave para dimrit, ndërsa vullnetarë të Kryqit të Kuq po ndihmojnë të shpërngulurit me produkte bazë.

Në mars, Këshilli i Sigurimit të OKB vendosi sanksione të reja kundër Koresë se Veriut pas testit të saj të katërt bërthamor, në muajin janar.

Top Channel