Fermerët e duhanit në Korçë, firmat nuk paguajnë paratë

29/10/2016 00:00

Kultivimi i duhanit apo siç është quajtur ndryshe”Ari i verdhë” në rajonin juglindor po tkurret si pasojë e pasigurisë së tregut që hasin vit pas viti fermerët.

Prej kohësh banorët e fshatrave Pocestë, Grabovicë e Podgorie janë përpjekur të qëndrojnë në tregun e duhanit si një kulturë e favorshme për ekonominë e tyre familjare, por përgjatë 3 viteve të fundit ata e kanë parë shpesh veten në udhëkryq pasi duhani u mbetet stok ose në rastet kur njëra nga dy firmat grumbulluese e blen me çmime tepër të ulët ata mbeten të palikujduar.

Faturat e tyre kanë mbetur në xhep prej vitit 2014 kur miliona leke mall u nisën drejt Elbasanit ku ndodhet firma e grumbullimit por në llogaritë e tyre bankare nuk u depozitua asnjë lek.

Përveç pagesave të prapambetura fermerët me sforco kanë arritur të kultivojnë sërish duhan pasi nuk kanë zgjidhje tjetër por përsëri firma u ka marrë prodhimin 10 muaj më parë dhe ata ende nuk janë paguar.

“I kemi dhënë mallin që në fund të marsit, data 4 prill mos gaboj, dhe firma nuk na ka dhënë lekët. Ende nuk na ka shlyer”, thotë një fermer.

“Unë kam për të marrë gati 3 milionë lekë. Unë komplet me familje merremi me duhanin. Kur vjen puna as këto 3 milionë nuk po i marr dot”, thotë një tjetër.

Qindra familje mbajnë shpresat tek të ardhurat që i sigurojnë vetëm nga shitja e duhanit, por pasiguria në tregun ekzistues po i bën që të humbasin shpresat për punën e tyre.

Top Channel