Rama mbron “kreditë e buta”: PD, subvencione për militantët

29/10/2016 00:00

Debatin me opozitën për mbështetjen e bujqësisë, kreu i qeverisë Rama e vijoi në distancë nga Çorovoda, ku takoi fermerë të zonës, të cilëve u kërkoi që të përkrahin programin e qeverisë për kreditë e buta. Ndërkohë, skemën e subvencioneve që mbron opozita, ai e cilësoi një lojë elektorale.

“Kush është me PD prodhon, kush nuk është nuk prodhon. Kjo është e vetmja mënyrë si i kanë ndarë subvencionet, që ju në kohën e tyre s’i keni parë. Në momentin kur ti ke NIPT-in dhe shet me letra tek pika e grumbullimit, në atë moment shteti të kthen mbrapsht 20 për qind. Ne kemi ngritur një fond garancie me paratë e shtetit për të garantuar kreditë e atyre që shkojnë t’i marrin si fermerë”, deklaroi Rama.

Një mundësi akoma më e madhe për Çorovodën dhe turizmin e zonës, sipas Edi Ramës, do të jetë ndërtimi i rrugës që do të lidhë Korçën me Skraparin.

“Që tani ka filluar efekti zinxhir nga Berati, që po transformohet gjithnjë e më shumë duke thithur turistë, deri në Skrapar. Por na duhet dhe efekti zinxhir nga Korça, sepse ju e dini që rruga lidhëse e Skraparit me Korçën është e mundur dhe mundëson që ju për 1 orë të shkoni në Korçë dhe ata që janë atje të vijnë këtu”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u kërkoi fermerëve që punën e tyre ta mbështesin tek harta e prodhimeve, për të patur një treg të sigurt, duke dalë si zonë apo krahinë me një kulturë të njësuar bujqësore.

Top Channel