Hetimi i ri për Clinton, kandidatja demokrate pret të njëjtin përfundim

29/10/2016 00:00

Hillari Clinton ka besim se hetimi i ri i FBI-së lidhur me çështjen e email-eve do të arrijë në të njëjtin përfundim si ai i pari, pra se ajo nuk duhet të ndiqet penalisht.

Kandidatja demokrate për presidencën, e vënë në shënjestër të polemikave për përdorimin e llogarisë private kur ishte Sekretare e Shtetit, i kërkoi përmes një telefonate drejtorit të FBI-së James Comey, t’i shpjegojë detajet e hetimit të ri popullit amerikan.

Pikërisht njeriu që e arkivoi çështjen në muajin korrik duke pretenduar se ish-sekretarja amerikane e Shtetit nuk kishte kryer ndonjë krim, në një zhvillim befasues për demokraten 10 ditë para zgjedhjeve, njoftoi të premten Kongresin se gjërat kishin ndryshuar.

Sipas tij, ishte zbuluar ekzistenca e emaile-ve të tjera të rëndësishme që kanë lidhje me rastin në fjalë dhe kësisoj ishte e nevojshme rinisja e hetimeve për të verifikuar nëse ato përmbajnë informacionet “top secret”.

Korrespondancat elektronike dolën në dritë gjatë një hetimi që kishte në qendër ish-bashkëshortin e këshilltares së Clinton-it, Huma Abedin, ish-kongresmenin Anthony Weiner. Pajisje që i përkisnin çiftit ishin konfiskuar si pjesë e dyshimeve, se burri i kishte dërguar email-e me përmbajtje seksuale një 15-vjeçareje.

“Vetë drejtori i FBI-së ka thënë se nuk e di nëse email-et në fjalë janë të rëndësishme ose jo. Kam besim se çfarëdo të jenë, nuk do të ndryshojnë konkluzionin e arritur në korrik”, tha Clinton.

Por zhvillimi i papritur nuk mund të mos kënaqte kundërshtarin e Clinton në garën për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili e cilësoi hetimin e FBI-së si skandalin më të madh politik që prej “Watergate”-it.

Gjatë një manifestimi në Ajoua, ai i tha mbështetësve se shpresonte që më në fund drejtësia të vihej në vend. Vendimi vjen ndërsa Clinton-i pozicionohet 5 pikë përpara manjatit të pasurive të paluajtshme në sondazhe, është quajtur si i vonuar nga zyrtari më i lartë republikan Paul Ryan.

Top Channel