Kredi apo subvencion, Panariti: Të dyja opsionet, por të balancuara

28/10/2016 00:00

Për të folur më shumë mbi zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor, që së fundmi ka qenë në fokus të përplasjeve politike, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Top Channel: Zoti ministër, ju njoftuat sot amnisti për borxhet që kanë fermerët, por ndërkohë kryeministri po sot deklaroi se kreditë e buta janë forma e vetme më e mirë e stimulimit të tyre

Edmond Panariti: Theksoj se bujqësia ka nevojë të financohet dhe financimi nuk vjen vetëm nga subvencionet, por edhe nga kredidhënia, ndaj të dyja duhen përdorur në mënyrë të balancuar. Përgjithësisht kredia shkon për ata që kanë filluar një aktivitet, e kanë konsoliduar atë dhe mund t’i përballojnë këstet. Pastaj ka një financim ku kombinohet subvencioni me kredinë, pra një pjesë financohet me kredi për të filluar dhe pjesa tjetër me subvencion kur mbaron investimi në total. Pastaj kemi dhe subvencion të pastër për ata fermerë që nuk kanë mundësi të fillojnë aktivitetin. Pra, të tre këto mekanzima janë mekanizma të njohur e të aplikuar nga shtetet e BE, ndaj kjo nuk mund të jetë një kauzë politike, ku dikush të thotë më e mirë është kredia apo dikush tjetër subvencioni. Janë të treja forma të ligjshme që aplikohen ose më vete, ose të kombinuara.

Top Channel: Qeveria, por edhe ju personalisht keni folur për stimulimin e një forme moderne të kooperativave për mbledhjen dhe shitjen e produkteve, por siç e pamë edhe me rastin e Lushnjes, kjo nuk po ndodh akoma. Përse?

Edmond Panariti: Ato janë koorperativa te krijuara, por aty kemi një prodhim dhe rrjedhimisht është çështje e absorbimit nga ana e tregut, që natyrisht ështe dhe funksion i kërkesës dhe ofertës. Ajo për të cilën unë kam insistuar është se ne duhet të zgjerojmë kapacitetet grumbulluese, sepse ku ke pikë prodhimi jo gjithçka absorbohet nga tregu. Pra, duhet të dish ta akumulosh në bazë frigoferike dhe një pjesë ta çosh për përpunim në trajtë salce, meqë bëhet fjalë për domate. Në këtë mënyrë ruhet prodhimi jo vetëm si domate e freskët, por edhe si domate që kalon për përpunim. Nga ana tjetër duhet balancuar raporti kërkesë-ofertë sepse ka ankesa për deformim të çmimit nga spekulatorët, që luajnë me fermerët dhe prishin kontratat e vendosura mes pikave të grumbullimit dhe prodhuesve. Këto janë deformime të çmimit. Prandaj unë jam i vendosur për ngritjen e një mekanizmi rregullator, që dikush e ka karakterizuar si bursë, por unë e quaj “community market”, që është dhe hapi vendimtar për të disiplinuar raportin kërkesë-ofertë dhe për të parandaluar që spekulantët të deformojnë çmimet. Kjo do të krijojë raporte të mirëbalancuara kërkesë-ofertë, do mundësojë transparencë të shitjeve me shumicë. Pra, duke krijuar këtë raport të mirëbalancuar dhe çmime të indeksuara pse jo në bazë ditore apo javore ne frenojmë abuzuesit që të spekulojnë me djersën e fermerëve.

Top Channel: Zoti ministër, ju faleminderit.

Edmond Panariti: Faleminderit juve.

Top Channel