FBI rihap hetimin ndaj Clintonit për “e-mail”-et

28/10/2016 00:00

Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka bërë të ditur këtë të premte se do të rihapë hetimin mbi përdorimin e një serveri privat “e-mail”-i nga Hillary Clinton, gjatë kohës që ajo ka qenë në postin e Sekretares amerikane të Shtetit.

Lajmi konfirmohet pas letrës së shkruar nga drejtori i FBI-së, James Comey, drejtuar Komitetit të Gjyqësorit në Senat.

“Në lidhje me një çështje të ndryshme nga ajo që është hetuar më parë, FBI-ja ka mësuar ekzistencën e ‘e-mail’-eve, që janë subjekt për një hetim të mundshëm. E pranoj se FBI-ja duhej të kishte ndërmarrë hapat e duhur investigativë, të cilat do t’u lejonin hetuesve të rishikonin këto ‘e-mail’-e për të përcaktuar nëse përmbajnë informacion të klasifikuar apo jo, si dhe për të vlerësuar rëndësinë e hetimit tonë”, shkruan Comey.

Zyrtarët e agjencisë federale ligjzbatuese thanë më vonë se “e-mail”-et e reja të pazbuluara gjatë hetimit të mbyllur ndaj Clintonit, këtë herë u zbuluan pas sekuestrimit të një pajisjeje elektronike që i përkiste Huma Abedin, një prej ndihmëseve kryesore të zonjës Clinton në fushatën presidenciale, si dhe bashkëshortit të saj Anthony Weiner. FBI-ja po heton mesazhet e paligjshme të shkruara (SMS) të dërguara drejt një vajze 15-vjeçare në Karolinën e Veriut.

Një zhvillim i papritur ky përpara zgjedhjeve të nëntorit, teksa duket se Hillary Clinton nuk do t’i shpëtojë dot çështjes aq shumë të debatuar të përdorimit të adresës së “e-mail”-it të saj privat.

FBI-ja ka vendosur t’i hedhë edhe njëherë një vështrim më të detajuar përmbajtjes së tyre, edhe pse disa muaj më parë, Departamenti amerikan i Drejtësisë vendosi që të mos ngrinte akuza ndaj Clintonit.

Për Donald Trump, ky është një lajm tejet i mirë, aq sa kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë nuk nguroi të fliste vetëm 10 minuta pas njoftimit.

“Unë kam respekt të madh për faktin se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë tashmë janë të gatshëm dhe kurajozë për të rregulluar gabimin e tmerrshëm që kanë bërë. Ky ishte një gabim i rëndë i drejtësisë, që populli amerikan e kishte kuptuar plotësisht. Dhe kjo është shpresa e të gjithëve se tani janë gati ta korrigjojnë”, tha Trump.

Ndërkohë, kreu i fushatës së Hillary Clintonit, John Podesta i ka bërë thirrje kreut të FBI-së, Comey, të japë më shumë informacione mbi letrën e dërguar Kongresit në lidhje me hetimin mbi çështjen e “e-mail”-eve, duke shtuar se “është diçka e jashtëzakonshme që të shohim diçka të tillë vetëm 11 ditë nga zgjedhjet presidenciale”.

Top Channel