Serbia na lë jashtë Europianit, mposhtet kombëtarja e 17-vjeçarëve

28/10/2016 00:00

Me dy humbje në po kaq ndeshje, kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve në futboll i jep një lamtumirë të hershme fazës kualifikuese për europianin. Kuqezinjtë e vegjël dështuan në derbin ndaj Serbisë të cilën e humbën 2-0 dhe kështu ekipi i trajnerit Mustedanagic e sheh veten jashtë turneut.

Në pjesën e parë Shqipëria u gjend shumë herët në disavantazh. Në minutën e pestë të takimit gjyqtari kryesor nga Uellsi Bryn Markham-Jones dha një 11-metërsh për skuadrën serbe e cila u konvertua në gol nga ana e Djerlek. Me këtë avantazh të shpejtë, kundërshtari e pati më të lehtë. Madje në minutën e 13, me anë të sulmuesit Bosiç, serbët arritën që të shënojnë përsëri.

Në pjesën e dytë, skuadra jonë u bë edhe më kërkuese në lojën e saj, teksa trajneri Mustedanagic kërkoi golat duke aplikuar skena sulmuese. Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës tonë dhe volumit të lojës së krijuar, rezultati mbeti ai i minutës së 13 të ndeshjes, pra 2-0 për Serbinë. Takimin e fundit skuadra jonë do ta zhvillojë më datë 31 tetor kundër Maqedonisë.

Top Channel