Jemen, mbi një milion fëmijë po vdesin nga kequshqyerja

28/10/2016 00:00

Rreth 1.5 milionë fëmijë në Jemen janë të kequshqyer dhe gjysma e popullsisë jeton në skamje. Këtë kanë bërë të ditur agjencitë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara gjatë kësaj të premteje, 3 ditë pasi pamje të një adoleshenti jemenas të dobësuar zunë titujt kryesorë të mediave anembanë botës.

Lufta 18-mujore e Jemenit ka lënë 370 mijë fëmijë në rrezik të rëndë të kequshqyerjes. Një situatë që kërkon trajtim urgjent për të parandaluar vdekjen e këtyre fëmijëve, bëri të ditur agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

“Është me të vërtetë një situatë e tmerrshme në terren. Kur sheh nënat, që kanë shumë pak për të ngrënë, si dhe fëmijët e tyre që jetojnë diku larg, thjesht të copëton zemrën”, bëri të ditur zëdhënësja e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Bettina Luescher, gjatë të njëjtës konferencë. “Është me të vërtetë shokuese dhe e tmerrshme të shohësh një situatë të tillë në shekullin e XXI-të”.

Në përgjithësi, thuajse gjysma e të gjithë fëmijëve në Jemen janë të pazhvilluar, sipas “WFP”-së. Një situatë pazhvillimi nënkupton që fëmijët janë më të shkurtër për moshën e tyre, një shenjë e kequshqyerjes kronike.

Luescher tha se, për shkak të pakësimit të burimeve dhe rritjes së nevojave, agjencia e OKB-së e ka parë të arsyeshme ta ndajë ushqimin në racione më të vogla për të mbuluar thuajse 6 milionë njerëz çdo muaj. Rreth 7 milionë jemenas janë në gjendje “të dëshpëruar për ushqim”, – tha ajo, – ndërsa situata mund të përkeqësohet edhe më tej për shkak të luftës.

Edhe përpara shpërthimit të konfliktit, Jemeni ka pasur një prej normave më të larta të kequshqyerjes në botë, bën të ditur “WFP”-ja. Agjencia në fjalë shtoi se i duheshin 257 milionë dollarë për të shpërndarë ushqime deri në mars të vitit të ardhshëm.

Këto raportime vijnë vetëm pak pasi “Reuters” publikoi foton e një 18-vjeçareje buzë vdekjes në një spital të Jemenit, e cila tërhoqi vëmendjen e mbarë botës.

Top Channel