Gjirokastër, seri operacionesh anti-kanabis; 7.500 bimë të asgjësuara

28/10/2016 00:00

Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, përmes një komunikate për shtyp ka raportuar mbi aksionet e ndërmarra kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Kështu, sipas njoftimit zyrtar, operacionet e ditës së sotme kanë filluar që në orët e para të mëngjesit dhe në të janë angazhuar rreth 80 forca policore, të cilat kanë kontrolluar terrene në Tepelenë dhe Memaliaj.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies 7.500 bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa në proces tharjeje, si dhe 35 kg gati për në treg. Gjithashtu, uniformat blu kanë evidentuar katër kapanone që shërbenin për tharjen e bimëve.

Operacionet janë zhvilluar njëri në vendin e njohur si Gjymshirah Meleq, Tepelenë, ku janë gjetur rreth 3 mijë bimë; në fshatin Shals të Memaliajt, ku janë konstatuar 2.800 bimë; si dhe në fshatin Arrëz, ku janë zbuluar bimët e tjera.

Në njoftimin për shtyp thuhet se, uniformat blu po vijojnë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës për kultivimin e bimëve.

Top Channel