Infeksionet kirurgjikale, në salla mjete që përdoren vetëm një herë

28/10/2016 00:00

Sallat e operacionit në të gjitha spitalet e vendit do të pajisen me instrumenta kirurgjikalë një përdorimshme dhe  të sterilizuara sipas  standardeve të kërkuara, për të ulur infeksionet spitalore  dhe shkurtimin e ditëqëndrimit të pacientëve në spital.

Deri më tani kjo është mundësuar në sallat e kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare.

“Brenda muajit nëntor do të fillojnë procedurat e prokurimit edhe për mjediset e reja të kirurgjisë së përgjithshme në QSUT. Është një investim rreth 9 mln euro. Do të garantojmë të njëjtën cilësi nga pikëpamja e teknologjisë, e sterilitetit në të gjitha sallat kirurgjike të Shqipërisë. Mua më vijnë tashmë nga ju sinjale shumë pozitive edhe lidhur me reduktimin e infeksioneve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Një nismë e tillë u vlerësua edhe nga ministri turk i Shëndetësisë, Rexhep Akdag,  i cili  ka vizituar sallat e operacionit në QSUT dhe ka parë nga afër procesin sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë.  Ndërkohë, në konferencën i kirurgëve, mjekët kirurgë, përveç infrastrukturës që tanimë sipas tyre është përmirësuar, kërkojnë që kirurgët e rinj të mos e nisin profesionin direkt tek pacienti.

“Kirurgët të mos e mësojnë zanatin tek pacientët, por para se të jenë tek pacientët të jenë qendrën e simulimit klinik, ku ka kukulla që mund të punohet me pajisje të veçanta që kushtojnë, por përmirësojnë shumë formimin e kirurgut në të ardhmen dhe ulin shumë rriskun për pacientët”, thotë kirurgu Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Prof Gjata thekson se duhet që edhe kirurgët e spitaleve rajonale dhe bashkive të vijnë në QSUT në periudha 1-mujore apo tremujore për të rifreskar dijet e tyre.

Top Channel