Përplasja e kryesuesve, Partizani kërkon tre pikët ndaj Skënderbeut

28/10/2016 00:00

Partizani-Skënderbeu është supersfida e javës përmbyllëse të fazës së parë të kategorisë Superiore. Në Elbasan do të përballen dy skuadrat që kryesojnë kampionatin me një diferencë prej 2 pikësh me njëra-tjetrën.

Mesfushori Emiliano Vila theksoi se Partizani do të luajë ndaj Skënderbeut për të marrë 3 pikët.

“Është një ndeshje shumë e fortë me rivalin tonë kryesor, Besoj se nëse japim maksimumin e mundim Skënderbeun. Ne do e marrim si një ndeshje kampionati. Normale që është kundërshtari ynë kryesor. Do futemi në fushë vetëm për tre pikë”, u shpreh Vila.

Partizani vjen në këtë ndeshje me kampionët në fuqi pas 3 fitoreve radhazi në kampionat, të gjitha të arritura me Sulejman Starovën në pankinë.

“Besoj se me ardhjen e Starovës kanë ndryshuar shumë gjerat, për mirë. E kam thënë edhe më përpara që Starova i jep ekipit një forcë tjetër, u jep maksimumin të gjithë lojtarëve. Aty ku më cakton trajneri do jap maksimumin tim”, shtoi Vila.

Në fund Emiliano Vila theksoi se kjo përballje mes Partizanit dhe Skënderbeut nuk është vendimtare pasi kampionati është i gjatë dhe se fati i titullit shpesh varet nga ndeshjet me skuadra të cilësuara të vogla në letër.

Top Channel