Si zhvillohet bujqësia? Rama prezanton programin e kredive, Basha: Subvencione

28/10/2016 00:00

Qeveria dhe opozita kanë dy propozime të ndryshme se cila është rruga më e mirë për të ndihmuar fermerët. Në Perondi të Kuçovës, Edi Rama e bazon zgjidhjen tek formalizimi i fermerëve.

“20 përqind rimbursim të çdo prodhimi që shisni me letra. Është shifër shumë e lartë rimbursimi për shtetin, por ne duam që të formalizoheni. Të shisni me letra, të keni NIPT-in, sepse pastaj kjo është një bazë për të marrë më tutje financime. Nuk merr dot financime kur nuk ekziston në asnjë vend”, deklaroi Kryeministri.
 
Lulzim basha, me fshataret e gruemires ne malesine emadhe , e perjashtoi si zgjidhje numrin identifikues te fermeve.

“Zgjidhja për fshatin, zgjidhja për fermat, zgjidhja për fermerët është subvencioni. Nuk ka zgjidhje tjetër, se përndryshe nuk e bënte Europa.  Subvencionet në vitin tonë të parë do të jetë 100 milionë euro dhe nuk do të shkojnë tek grumbulluesit, do të shkojë drejtpërdrejtë tek fermeri, pa NIPT, pa burokraci. E vetmja gjë që do të matet do të jetë është prodhimi, kaq prodhim ke kaq subvencion meriton, do të marrësh subvencionin”, deklaroi Basha.

Mes Bashës dhe Ramës janë shkëmbyer replika në largësi për premtimet elektorale.

“Është zgjidhje kredia pasi e ke rrënuar për 3 vjet fshatin? S’ke bërë asnjë investim, asnjë kilometër rrugë, asnjë metër rrugë nuk ke shtru. A ishte ky që thoshte : “Do të shtroj rrugët në çdo parcelë”. Ndërkohë që një metër rrugë rurale nuk e ka shtruar. A ishte ky që thoshte do të sjellë ujin, do të bëjë vaditjen, do të bëj kullimin, një vepër nuk ka fillu. rama per 760 milione dollaret borxhe”, deklaroi nga Malësia e Madhe kreu i PD.

“Po Saliu kishte bërë tenderat, është e vërtetë. Kishte bërë tenderat dhe hajd mirupafshim! Ne na duhet të shlyejmë 720 mln dollarë borxhe. Me 720 mln dollarë ne kishim mbaruar tërë rrugët rurale të Shqipërisë”, tha në Perondi të Kuçovës, kryeministri Rama.

Basha dhe Rama u përballen edhe për politikat e tyre për fshatin.

“A ishte ky që tha që do shumëfishoj subvencionet për fermerët, që me buxhet i ka përgjysmuar dhe ai përgjysmim nuk vjen tek fermerët se e marrin një grusht njerëzish për grumbullim”, akuzoi nga Lulzim Basha.

“Investimi më i madh që ne do të bëjmë është që t’u japim juve titujt e pronësisë. Ky proces ka filluar dhe ne nuk i ndahemi. Është shumë i vështirë sepse është i mbushur me konflikte”, tha para fermerëve në Perondi, kryeministri Rama.
 
Edi Rama u tha fermerëve se investimi i tyre më i madh politik është mbështetja e Qeverisë së tij, ndërsa Lulzim Basha u kërkoi banorëve të Malësisë së Madhe t’i bashkohen opozitës për të rrëzuar përpara zgjedhjeve Qeverinë e e Kryeministrit Rama.

Top Channel