Kredi për turizmin; BB 63.8 mln euro për Beratin, Gjirokastrën dhe Përmetin

27/10/2016 00:00

Banka Botërore do të financojë me 63,8 milionë euro zhvillimin e infrastrukturës urbane në bregdetin e jugut dhe qytetet e Gjirokastrës, Beratit dhe Përmetit, në funksion të zhvillimit të turizmit.

Ulja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies në bashkitë ku do të zbatohet ky projekt është synimi kryesor.

“Kryesisht në fokus të projektit është infrastruktura urbane, por në funksion të zhvillimit të turizmit. Projekte të cilat nxisin turizmin dhe synojnë që flukset e turistëve që vizitojnë Shqipërinë tek fasha e bregdetit, të kenë mundësinë për ta vizituar Shqipërinë edhe në një kuadër turistik, kulturor dhe pasuritë që ajo ofron”, shpjegon Nertil Jole, drejtor i Zhvillimit të Territorit në MZHU.

Në qeveri është miratuar projekt ligji i kredisë në fjalë. Zbatimi do të bëhet në 5 vite, por që në fillim të 2017-s do të kemi investimet e para.

“Në fillim të vitit do fillojë zbatimi i projektit për rehabilitimin e shkallares dhe pedonales në qytetin e Sarandës, apo për ndriçimin e qendrës historike të Gjirokastrës, apo rrugën këmbësore dhe automobilistike që të çon në Kalanë e Beratit”, shtoi Nertil Jole.

Turizmi shihet si një nga sektorët më potencial të lartë zhvillimi në Shqipëri dhe politikat po fokusohen në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e ofertës së produkteve.

Top Channel