Nudo kundër Trump

28/10/2016 00:00

Fotografi i njohur amerikan, Spencer Tunick ka ndaluar në qytetin piktoresk kolonial të San Miguel de Allende në Meksikë, ku planifikon ta kthejë skenën masive të fotove të tij nudo në një protestë ndaj kandidatit presidencial amerikan, Donald Trump.

Përgjithësisht për veprat e veta, artisti nga Nju Jorku ka përdorur zona ikonë si Zocalo në Mexico City. por zgjedhja e kësaj here ishte San Miguel de Allende, ku modelët e zhveshur ka ndërmend t’i kthejë me kokë poshtë, si frymëzim nga retorika e Trumpit.

“Mendoj se po jetojmë në një botë të vështirë e të trazuar, ku gjërat nuk janë ashtu siç duken, por kthehen kokëposhte. Ndaj praktikisht, po bëj që kokat e njerëzve të kthehen përmbys, ashtu siç kthen përmbys Trumpi mendjet tona duke na shkaktuar një histeri të brendshme. Shpresoj që ai të humbasë. Nuk uroj një humbje të thjeshtë, uroj të shkatërrohet fare”, thotë vetë fotografi.
 
Kandidati republikan ka shkaktuar mjaft zemërim në Meksikë me komentet e tij mbi emigrantët dhe zotimin e ngritjes se një muri ndarës në kufirin jugor të vendit. Tunick thotë se në punën e tij i urren muret dhe barrierat ndarëse, ashtu siç nuk e pranon ndarjen e meksikanëve paqësore, të dashur, artistikë e krijues nga Shtetet e Bashkuara.

Vizita e fotografit  në San Miguel de Allende është pjesë e festivalit kulturor të këtij qyteti, të njohur si La Calaca.

Top Channel