SHBA, Gjykata shfajëson kaubojsat e Oregonit

28/10/2016 00:00

Të ashtuquajturit kaubojsat e Oregonit, të cilët pushtuan për 41 ditë një godinë federale në brendësi të një parku natyror, u shfajësuan nga akuza për bashkëpunim kriminal.

Vendimi i papritur u dha nga juria e një Gjykate Federale, që shfajësoi 7 liderët e revoltës së Ammon Bundy-t, që me protestën e tyre donin të theksonin se tokat perëndimore i përkasin kaubojsave.

Në fillim të vitit ata pushtuan “Malheur National Wildlife Refuge”, në atë që e quajtën akt të ligjshëm e patriotik të mosbindjes civile. Akti shkaktoi dëme prej 4 milionë dollarësh dhe i kushtoi jetën një protestuesi që u u vra nga polica gjatë konfrontimeve.

Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, kritikoi vendimin e jurisë, duke thënë se do ta respektonte atë edhe pse ndihej e zhgënjyer. “Pushtimi nuk reflekton modalitetet e Oregonit për zgjidhjen e divergjencave”, ishin fjalët e saj.

Ngjarja nxori në pah valën e pakënaqësive që mbizotëronin mes komuniteteve rurale në Amerikën perëndimore lidhur me kontrollin federal të tokave.

Një total prej 26 personash po gjykohen për rastin në fjalë, e disa prej tyre janë shpallur të pafajshëm për bashkëpunim kriminal. Një tjetër grup të akuzuarish pritet të dalë në gjyq në muajin shkurt.

Top Channel