Skandali seksual, shkarkohet kryegjyqtari i Gjirokastrës

28/10/2016 00:00

Pas publikimit në media të një audio-skandali, kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi u shkarkua me 14 vota unanime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi gjithashtu edhe pezullimin e tij nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Në mbledhjen e thirrur enkas për këtë çështje, u miratua edhe fillimi i inspektimeve për një inspektore në KLD, e cila përmendet në regjistrimin audio së bashku me një gjyqtare të Shkallës së Parë në Gjirokastër.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi se gjyqtarë si Guximtar Boçi nuk duhet të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë e për këtë ai tha se ai duhet pezulluar edhe nga detyra.

“Ngjarja e gjyqtarit është e rëndë, e turpshme, e papranueshme për një zyrtar shteti, aq më tepër për një gjyqtar, për një kryetar gjykate jo e jo, kështu që besoj që KLD sot do të ketë vendimarrjen e duhur. E dyta, edhe si gjykatës zotëria nuk mund të shërbejë më, kështu që minimalisht unë do të kërkoj pezullimin e tij si gjykatës. Pra ai nuk mund të gjykojë më, nuk mund të jetë më pjesë e trupës gjyqësore të Republikës së Shqipërisë derisa të plotësohen procedurat disiplinore. Ne do të bëjmë inspektime, verifikime, do të pyesim persona. Këto janë rregullat”, deklaroi ministri Manjani. 

Ndërkohë, Krimet e Rënda kanë njoftuar nisjen e hetimeve për korrupsion pasiv pas publikimit të skandalit ku shfaqet gjyqtari Boçi duke kërkuar favore seksuale nga një qytetare, e cila kishte në këtë gjykatë nën shqyrtim një dosje civile.

Dosja e gruas ishte nën gjykim nga një gjyqtare që aktualisht do të inspektohet, ndërkohë që organi i hetimit do të pyesë qytetaren denoncuese si edhe do të kryejë ekspertizën e zërit për të konfirmuar dyshimet.

Një deklaratë ku është distancuar nga Guximtar Boçi ka bërë edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe i kërkon organit të akuzës të veprojë për të zbardhur ngjarjen, ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ku shkruan se reforma në drejtësi do na çlirojë nga të gjithë palaçot në sistemin e drejtësisë.

Top Channel