NBA, Wade debuton me fitore me Chicago Bulls

28/10/2016 00:00

Dwayne Wade shkëlqen në debutimin e tij me fanelën e Chicago Bulls. Në “United Center”, skuadra nga Ilinoisi mposhti Boston Celtics me rezultatin 105-99. Wade, për të cilin ky ishte një rikthim në Chicago, u bë protagonisti kryesor për Bulls me 22 pikë të shënuara, 6 topa në tabelë dhe 5 asist.

Pikët më të rëndësishme të tij në këtë ndeshje ishin ato të shënuara me 4 gjuajtje nga distanca, njëra prej të cilave u realizua në sekondat e fundit, për ta çuar rezultatin në 104-99. Mjaft mirë u paraqit edhe Jimmy Butler me 24 pikë, ndërsa për Celtics më i miri në parket ishte Thomas me 25 pikë.

San Antonio regjistroi fitoren e dytë në këtë sezon të NBA. Skuadra teksane, pasi prishi festën e Durant në debutimin me Golden State, prishi edhe atë të Sacramento Kings në përurimin e “Golden One Center” teksa e mposhti këtë skuadër 102-94.

Cousins shënoi 37 pikë dhe rrëmbeu 16 topa në tabelë, por kjo nuk i mjaftoi Sacramentos për të thyer San Antonion që edhe këtë radhë pati si elementin më të mirë Leonard, me 30 pikë dhe 5 asist.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Atlanta Hawks mundi Washington Wizards 114-99, ndërsa Los Angeles Clippers fitoi me Portland Trail Blazers 114-106.

Top Channel