Inter, të gjithë janë me De Boer

28/10/2016 00:00

Inter nuk ka ndërmend që të braktisë e aq më pak të përzërë trajnerin Frank De Boer. Të paktën kështu kanë dhënë të kuptojnë drejtuesit zikaltër pas takimit të aksionerëve.

Administratori i Deleguar Michael Bolingbroke u shpreh se situata është e vështirë, por e rëndësishme është që të qëndrojmë të gjithë bashkë. “De Boer erdhi në momentet e fundit dhe normal që kjo është një situatë pak e vështirë. Jemi 100% në krah të trajnerit dhe është e rëndësishme të saktësojmë që detyra e tij nuk është aspak e thjeshtë. Gjatë periudhës së pushimit mes dy fazave do të ketë mundësinë të qëndrojë 10 ditë me skuadrën dhe sigurisht që do të forcojë akoma edhe më shumë idetë. Sfidë e vështirë, por e mbështesim 100%”, deklaroi Bolingbroke.

Ndërkohë Ausilio ka shtuar më tej, se gjatë dy javëve të fundit ka patur shumë spekullime për largimin e trajnerit, por që nuk janë të vërteta. “Nuk i lexoj më gazetat, ka shumë spekullime. Janë afruar shumë emra në fakt, por ne jemi në krah të trajnerit. Pankinën e Interit e kërkojnë shumë trajnerë, por ajo i përket De Boer’, tha Ausilio.

Top Channel