Higuain ‘ndez’ sfidën Juventus-Napoli

28/10/2016 00:00

Juventus-Napoli është kryesfida e kësaj jave në Serinë A, sfidë që jashtë fushës është ndezur që të mërkurën, në përfundim të ndeshjeve të mesjavës të kampionatit italian.

Reina, Mertens dhe Callejon po festonin fitoren ndaj Empolit dhe pikërisht në këtë moment vendosën që të telefonojnë përmes FaceTime një mik të vjetër; Gonzalo Higuain, me të cilin do të përballen të shtunën në mbrëmje në Torino.

Komenti i “Pipitas” ishte thumbues.

“Po festoni? Pini pini, që të vini tapë në Torino të shtunën”, iu drejtua ai miqve të vet dhe ish-bashkëlojtarëve tek Napoli.

Komenti i tyre ishte akoma më i pamëshirshëm.

“Ti hajde këtu poshtë tavolinës, që të jesh i ngopur për të shtunën”, iu kundërpërgjigjen ata.

Nga këto shaka kuptohet qartë që pavarësisht mënyrës sesi u largua, Higuain ka ende një lidhje të fortë me lojtarët e ish-skuadrës së tij, sa për tifozët…ata nuk falin.

Që kur argjentinasi njoftoi largimin drejt Juventusit, ata kanë nisur të djegin në masë fanellat e tij, ndërsa e kanë pagëzuar me emrin “Judain” duke u ndjerë të tradhtuar që ai zgjodhi Juventusin, armikun e përjetshëm të napoletanëve.

Top Channel