Alepo, rebelët nisin ofensivën për të çarë rrethimin

28/10/2016 00:00

Fraksionet rebele sirianë kanë nisur një ofensivë madhore për të çarë rrethimin e forcave qeveritare të mbështetura nga ato ruse në pjesën lindore të qytetit të Alepos.

Rrethimi i qytetit zgjat prej disa muajsh dhe sipas organizatave ndërkombëtare rreth 250 mijë persona, pjesa dërrmuese e tyre civilë, mes të cilëve shumë gra e fëmijë, vuajnë prej kohësh pasojat e izolimit dhe konfliktit.

Të gjitha fraksionet rebele, sipas një grupi monitorimi të luftës në Siri me bazë në Londër, thonë se janë të bashkuar në këtë ofensivë, e cila ka nisur me bombardimin e pjesës perëndimore të qytetit dhe të aeroportit ushtarak al-Nayrab.

Ofensivës për çarjen e rrethimit u janë bashkuar edhe rebelët jashtë qytetit dhe vetëm në orët e para të përleshjeve flitet për të paktën 115 persona të vdekur, pjesa më e madhe e të cilëve civilë.

“Të gjithë fraksionet rebele revolucionare po marrin pjesë në këtë betejë. Të gjithë pa përjashtim!”, citohet nga agjencia e lajmeve AP një zëdhënës i fraksionit Fastaqim.

Aeroporti ushtarak al-Nayrab është goditur me raketa Grad, ndërsa dy sulme kamikaze janë ndërmarrë nga grupi Jabhat Fateh al-Sham, i njohur më parë si Al Nusra dhe me lidhje të ngushta me Al Kaedan.

Observatori Sirian thotë se përveç Alepos, raportime për sulme të rebelëve ka edhe më në perëndim të vendit, pikërisht pranë bazës ajrore Hmeimim, baza kryesore e përdorur nga rusët për avionët e tyre luftarakë, në afërsi të qytetit bregdetar Latakia.

Kjo është përpjekja e dytë e rebelëve për të çarë rrethimin. Ofensiva e parë nisi në muajin gusht, një muaj pasi forcat qeveritare kishin shkëputur lidhjet e tyre me zonat e tjera të kontrolluara nga rebelët. Vetë qyteti, dikur krenaria ekonomike e Sirisë, ndodhet i ndarë në dy pjesë që prej vitit 2012; perëndimi i kontrolluar nga forcat qeveritare dhe lindja e kontrolluar nga rebelët.

Top Channel