Tiranë, të shtëna me armë zjarri në një lokal, një i plagosur

28/10/2016 00:00

Të shtëna me armë zjarri janë shënuar rreth mesditës të së premtes në kryeqytet, ku një 29-vjeçar i shpëtoi një atentati në një bar kafe pas zonës së ish-ekspozitës.

Andi Mustafaraj u qëllua me armë nga një person i pa identifikuar, i cili ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendngjarja me një pistoletë në dorë.

Sipas dëshmitarëve, të cilët janë gjendur në panik, në lokal u dëgjuan 3 të shtëna arme ndërsa 29-vjeçari i plagosur është dërguar menjëherë në spital nga një makinë e rastit.

Andi Mustafaraj nuk është një person i panjohur për policinë. Ai figuron i skeduar për aktivitete kriminale dhe dyshohet se ka qenë një lidhje e fortë dhe mik i Elton Çiços, që u ekzekutua me 1 maj të këtij viti në një lokal tjetër në Tiranë.

29-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të plumbave që ka marrë në bark ndërsa policia dyshon se plagosja e tij mund të ketë lidhje edhe më një tjetër atentat në kryeqytet ku mbeti i plagosur me një armë të dyshuar snajper, Nelgert Pata që njihej si armik i Çiços.

Për të gjitha këto pista policia ka nisur hetimet si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit, për të bërë të mundur identifikimin e autorit.

Pamje nga ngjarja kanë mbërritur në “Ti Raporton”.

 

Top Channel