HIV/AIDS në burgje, drejtoria e burgjeve: Janë infektuar në jetën e lirë

28/10/2016 00:00

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar lidhur me rezultatet e studimit të shoqatës “Stop AIDS”, duke i quajtur joreale. Në një njoftim për mediat, ky institucon sqaron se personat e infektuar me HIV/ AIDS që ndodhen në burgje janë infektuar në jetën e lirë.

“Të dhënat e referuara në këtë studim nuk pasqyrojnë situatën reale në sistemin e burgjeve sa i përket rasteve të diagnostikuar me sëmundje seksualisht të transmetueshme të infektuar në sistemin e burgjeve. Aktualisht në sistemin e burgjeve ka shtetas të diagnostikuar me HIV AIDS të cilët nuk janë infektuar në sistemin e burgjeve, por të infektuar në jetën e lirë, përpara pranimit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Për sa i përket të dhënave që u referuan gjatë takimit mbi mundësinë e infektimit nëpërmjet kryerjes së tatuazheve në burg, sqarojmë se mjetet që përdoren për kryerjen e tatuazheve nuk lejohen në asnjë institucion penitenciar, pasi hyjnë në kategorinë e sendeve të ndaluara”, thuhet në njoftim.

Ndërsa lidhur me përdorimin e shiringave apo ageve, drejtoria e përgjithshme e burgjeve sqaron se ato nuk janë objekt i përdorimit vetjak nga persona me liri të kufizuar dhe se trajtimi shëndetësor bëhet vetëm nga stafi shëndetësor i IEVP-së.

Ky institucion thekson më tej se nuk ishte njohur më parë me studimin e shoqatës, duke theksuar se tregojnë kujdes të veçantë ndaj personave të diagnostikur me sëmundje infektive, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë me të gjithë shtetasit e tjerë të burgosur, si edhe duke ruajtur konfidencialitein e diagnozës.

Top Channel