Gjatë Luftës së Dytë Botërore Bullgaria u rreshtua në krah të nazistëve dhe në fund të saj, ashtu si në shumë vende të tjera të Europës Lindore, hyri ushtria sovjetike, që pas largimit mori me vete dosje të tëra dokumenta, që për historianët vendas vlerësohen si tejet të rëndësishme.

Për këtë qëllim, arkiva bullgare ka dorëzuar prej kohësh tek kolegët rusë një kërkesë për një kopje të ketyre dokumentave, por kërkesa është përballur me një kundërkërkesë aspak të zakontë nga rusët. Ata kanë kërkuar 23 mijë e 500 dollarë për kopjet e 23 mijë e 500 faqeve që zotërojnë.

Rusia kërkon këtë pagesë për dokumentat e arkivës të sekuestruara në fund të Luftës së Parë Botërore, pas dorëzimit të Bullgarisë dhe nënshkrimit të paktit të kapitullimit në vitin 1919.

Por këto dokumenta nuk vlerësohen me rëndësi nga historianët bullgarë.

“Dokumentat e Luftës së Parë Botërore nuk kanë rëndësi për shtetin bullgar, por ekzistojnë disa dokumenta të Luftës së Dytë Botërore, të marra nga shtabi i ushtrisë bullgare dhe flota e saj, që kanë një rëndësi të veçantë”, thotë për BIRN, kreu i Agjencisë Shtetërore të Arkivës bullgare, MIhail Gruev.

Por Rusia këmbëngul që Bullgaria të blejë kopjet e dokumentave të Luftës së Parë Botërore në mënyrë që të mund të sigurojë ato të Luftës së Dytë Botërore, që autoritetet ruse i kanë futur në kategorinë e atyre që i quajnë “trofe të arkivës”.

Top Channel