Presidenti Duterte: Zoti më tha të mos shaj më

28/10/2016 00:00

Ka pak muaj që është në krye të vendit, por Rodrigo Duterte është bërë Presidenti më i famshëm që kanë patur ndonjëherë Filipinet dhe jo vetëm për politikat e tij të kontestuara, por edhe për deklaratat e bëra në publik.

E tillë është edhe një e fundit e bërë nga vendlindja e tij, Davao, ku u ndal menjëherë pas përfundimit të vizitës në Japoni. Ai tha se Zoti i kishte kërkuar që të hiqte dorë nga gjuha vulgare.

“Dëgjova një zë që me tha të ndalojë ofendimet dhe sharjet përndryshe avioni do të shpërthente në ajër. Dhe kështu bëra, ndalova sharjet dhe ofendimet”, tha ai.

Gjuha e ashpër dhe shpesh e shoqëruar me fjalë jo fort diplomatike, sidomos ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, kanë ndihmuar Duterten që të rrisë popullaritetin në Filipine, por edhe po ndryshojnë kursin e vendit në politikën e jashtme, duke e çuar atë nga një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, në një aleancë të re me Kinën.

Duterte ka nisur një fushatë të ashpër kundër përdoruesve dhe trafikantëve të drogës, fushatë që brenda më pak se 3 muaj u ka marrë jetën më shumë se 3 mijë personave. Kjo fushatë është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vetë Presidenti Obama, ndaj të cilit Duterte do të tregohej i ashpër duke e quajtur atë “një bir k…”.

Top Channel