Ligji për hapjen e dosjeve, Borchardt: Po zvarritet zbatimi

28/10/2016 00:00

Kreu i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka kritikuar politikën shqiptare se po zvarrit krijimin e autoritetit që vjen si rrjedhojë e ligjit të hapjes së dosjeve.

“Me keqardhje konstatojmë se, edhe pse ka kaluar mbi një vit e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit, dhe pavarësisht se Kuvendit i është dërguar një listë me 11 kandidatë potencialë për 5 anëtarët e këtij Autoriteti, Kuvendi ende nuk ka votuar për kandidatët. E përshëndetëm hovin që u duk se do të shoqëronte zbatimin e këtij ligji dhe dëshirojmë të shohim personat përgjegjës të marrin masat e nevojshme për ta kthyer në axhendën e parlamentit, për të mundësuar zbatimin e ligjit dhe hapjen e dosjeve në përputhje me ligjin,” tha ai.

Borchardt mori pjesë sot në veprimtarinë “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë” organizuar nga Konrad Adenauer Stiftung, në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”. Ai tha se përvoja e vendeve të tjera, që janë përballur me të shkuarën, tregon se vetëm përmes zbulimit, trajtimit dhe diskutimit rreth padrejtësive të shkuara, arrijmë të mos lejojmë të shkuarën të bëhet barrë për të ardhmen.

Top Channel