Ujësjellësi i ri i Lushnjës, investimi gjerman në 8 qytetet për furnizimin 24 orë me ujë

28/10/2016 00:00

Investimet në furnizimin me ujë të qytetit të Lushnjës janë drejt përfundimit të fazës së dytë. Projekti prej 3.5 milionë euro, është një bashkë investim i qeverisë shqiptare, asaj gjermane dhe BE-së.

Reforma e ujit është cilësuar ndër më të rëndësishmet në vend nga ministri i Transportit dhe infrastrukturës Sokol Dervishaj, i pranishëm në inaugurimin e godinës së re të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në qytetin e Lushnjës.

Sipas tij, 300 mijë banorë në 8 qytete të Shqipërisë do të përfitojnë nga projektet e furnizimit 24-orë me ujë, të bëra me fondet e BE dhe bankës gjermane KFV.

“Projekti në tërësi nuk përfshin vetëm Bashkinë e Lushnjës, por shumë Bashki të vendit. Jemi në fazën e dytë të këtij projekti që po shkon drejt përfundimit të saj. Besojmë se në bashkëpunim me qeverinë dhe parterët tanë do të avancojmë në fazat e tjera të këtij projekti. Kjo do ta përmirësojë më tej sistemin e ujësjellësve”, tha ministri Sokol Dervishaj.

Përfaqësuesi i ministrisë së Ekonomisë Gjermane, Futolel, janë 6- projekte afatgjata në Shqipëri që po kryhen nga qeveria gjermane në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, të cilat tregojnë bashkëpunimin midis dy shteteve.

“Sigurisht që një shembull janë investime në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Ky është vetëm një nga 6 projektet e tjera në qytet e Shqipërisë. Sigurisht ne nuk mund të vijmë gjithmonë për inaugurime, por do ta përçojmë mesazhin në gjermani se sa duhen këtu projekte të tilla”, tha Futolel.

Përfaqësuesi i BE në Tiranë, Englestrom, beri me dije se investimet do të vazhdojnë edhe në trajtimin e ujërave të ndotura për të shmangur kontaminimin e ujërave të pijshëm.
 
Kanë qenë financuesit gjermanë, të cilët në kuadër të projektit për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Lushnje, investuan edhe në ndërtimin e godinës së re të kësaj ndërmarrjeje.

Në dhjetor të këtij viti, sipas ndërmarrjes së ujësjellësit do të bëhet prova e parë e rrjetit të ri në furnizimin me ujë të qytetit. Në Lushnje Momentalisht humbjet në rrjet janë 74 % të shpërndarjes së ujit, duke rritur koston e kësaj ndërmarrjeje.

Top Channel