Skllavet “Jazidi” të ISIS nderohen me çmimin “Sakharov”

27/10/2016 00:00

Dy gra të komunitetit “Jazidi”, që mundën t’u shpëtonin abuzimeve seksuale të militantëve të ISIS-it në Irak, u vlerësuan me çmimin “Sakharov”, nderimi më i lartë europian në fushën e të drejtave të njeriut.

Nadia Murad Basee dhe Lamiya Aji Bashar ishin mes mijëra vajzave e grave “Jazidi” në Sinjar, që u rrëmbyen nga Shteti Islamik në vitin 2014, për t’u kthyer në skllave seksi. Të dyja arritën të shpëtonin dhe tashmë janë aktiviste për të drejtat e komunitetit që përfaqësojnë.

Jazidët janë një sekt fetar, besimi i të cilëve ndërthur elementë të disa feve të lashta të Lindjes së Mesme. Por ISIS-i i konsideron ata si ithtarë të djallit. Njoftimi për fitueset u dha nga presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz.

“Ky është një vendim shumë simbolik dhe i rëndësishëm për të mbështetur këto dy të mbijetuara që erdhën në Europë si refugjate dhe gjetën strehim në Bashkimin Europian”, tha Schulz.

Ai shtoi se çmimi nënkuptonte se PE i mbështet ato në luftën e tyre jo vetëm për dinjitet, por edhe për të qenë zëri i abuzimeve të tmerrshme.

Çmimi për lirinë e mendimit jepet çdo vit në kujtim të Andrei Sakharov, shkencëtar dhe disident sovjetik. Dy gratë u nominuan nga grupi liberal “Alde” në Parlamentin Europian. Udhëheqësi i këtij grupi, Guy Verhofstadt i përshkroi ato si gra frymëzuese, të cilat kishin treguar guxim të pabesueshëm dhe humanizëm përballë brutalitetit të neveritshëm.

ISIS pushtoi Sinjarin në gusht të vitit 2014, duke vrarë e skllavëruar mijëra banore të qytetit.

Top Channel