Kosovë, projektrezolutë për vlerat e luftës së UÇK-së. Incident në Kuvend

27/10/2016 00:00

Ashtu siç ishte njoftuar që prej së mërkurës, Kuvendi i Kosovës, pasi zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme parlamentare mbi vlerat e luftës së UÇK-së, deputetët e të gjithë grupeve parlamentare dolën me një projektrezolutë të harmonizuar, në të cilën thuhet se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë.

Si të tillë, ata gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, thuhet ndër të tjera në rezolutë.

“Lufta çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me qëllim çlirimin e Kosovës, sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtjeje dhe çlirimtare, duke e respektuar të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake policore dhe administratës pushtuese të Serbisë në Kosovë, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetar dhe institucion i Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e UÇK-së, me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e çlirimtare të Kosovës, ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, e në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet tekstualisht në rezolutë.

Më tej shkruhet se, “Edhe në rastin e dënimit të grupit ‘Drenica’ i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik, e sidomos gjykatave, që t’i kushtojnë kujdes thelbit të së drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësinë e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në projektrezolutën që iu është shpërndarë deputetëve.

Projektrezoluta do të hidhet ditën e premte për votim në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, punimet e parlamentarëve kosovarë nuk shkuan pa incidente. Një i tillë u shënua mes Nuredin Lushtakut dhe Glauk Konjufcës, në momentin kur ky i fundit po mbante fjalimin përmbledhës në foltoren e Kuvendit.

Në këtë çast, Konjufca përmendi se kush e kishte akuzuar për vrasje kryeparlamentarin Kadri Veseli, duke cituar Sami Lushtakun për një fjalim të mëhershëm të këtij të fundit. Por, duket se ky citim ka irrituar deputetin Nuredin Lushtaku, i cili është ngritur nga karrigia e tij dhe është sulur drejt Konjufcës. Përpara foltores u vunë rresht deputetët e Vetëvendosjes dhe PDK-së, derisa Veseli nisi të bisedonte me secilin prej palëve në konflikt.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel