Shtyhet ligji i 7-të i Reformës; Opozita ikën, shumica më pak se 80 deputetë në sallë

27/10/2016 00:00

Partia Demokratike e braktisi pjesën e votimit në Parlament duke bërë të pamundur votimin e disa ligjeve me 84 vota.

Në rend dite ishin disa ndryshime në Kodin Civil për ligjin e falimentit, por më i rëndësishmi është ligji i shtatë për Reformën në Drejtësi, ai i organeve të qeverisjes vendore. Prej gati një muaji ligji është ne Kuvend, pasi nuk u votua me paketën e Reformës në Drejtësi me argumentin jozyrtar se mund të kishte negociata për të marrë konsensusin e Partisë Demokratike dhe për të shmangur një ankimim tjetër të saj në Gjykatën Kushtetuese.

Por deri tani nuk ka patur asnjë negociatë të mirëfilltë dhe ligji po shtyhet nga seanca në seancë për shkak të mungesës së numrit 84 të deputetëve. Gjatë votimit këtë të enjte kishte më pak se 80 deputetë, që do të thotë se vetë mazhoranca nuk ka siguruar pjesëmarrjen e duhur për të votuar një nga ligjet me të rëndësishëm të reformës.

Kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi e ka ngritur disa herë si shqetësim mungesën e disa deputeteve, por mesa duket, edhe deputetët e partive aleate nuk janë të prirur të jenë në votim.

E sigurt është se koalicioni qeveritar nuk mund të varë shpresat tek pjesëmarrja e opozitës në seancë për të bërë 84 vota, sepse opozita ka vendosur që të mos votojë ligjet e qeverisë Rama, edhe kur është dakord me to.

Top Channel