Krimet e Rënda dënojnë për korrupsion ish-prokurorin e Fierit

27/10/2016 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 18 muaj shërbim prove dhe 5 vjet përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike për ish-prokurorin e Fierit, Petrit Vukaj, i gjetur fajtor për akuzën e korrupsionit pasiv.

Vukaj u arrestua dhe akuzua në nëntor të vitit të kaluar së bashku me tre persona të tjerë, dy vëllezërit Elton dhe Arjan Xhemali dhe shtetasin Gazmir Nelollari. Ndaj tre shtetasve të fundit, gjykata vendosi dënimin me nga 1 vit e 10 muaj burg.

Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari u akuzuan nga Prokuroria se kanë ndërhyrë tek ish-prokurori i Fierit me qëllim zbutjen e vendimit për shtetasin Elton Xhemali, që akuzohej për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugorë me pasojë vdekjen.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se Petrit Vukaj, prokuror i çështjes ku po gjykohej Elton Xhemali për një aksident të ndodhur në mars të 2015 në aksin rrugor Levan-Tepelenë, e ku ka gjetur vdekjen shtetasi Përparim Bizhga, shef i rendit në Policinë e Delvinës, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për Elton Xhemalin.

Personat që kanë ndërhyrë në çështjen në ngarkim të Elton Xhemalit kanë qenë vëllai i tij, Arjan Xhemali dhe oficeri i Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari. Prokuroria argumentoi se për të arritur qëllimin e tyre, shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktuan me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili në bazë të veprimeve të tij proceduriale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.

Pas ndërhyrjes, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.

Ky vendim i gjykatës nuk ka kënaqur të pandehurin Elton Xhemali, të cilit i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. I pandehuri Elton i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.

Shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij.

Top Channel