Deri në vitin 2020, dy të tretat e botës së egër do të zhduket, nëse nuk merren masa që tani. Raporti i fundit i Fondit botëror të saj, WWF, bën të bien këmbanat e alarmit për faunën në planetin tonë.

Që prej vitit 1970, kafshët e egra janë reduktuar me 58% dhe, nëse trendi vazhdon, për 4 vite situata e vertebrorëve ka për të qenë drastike. Humbjet më të mëdha do të jenë te speciet që jetojnë në lumenj, liqene e këneta.

Aktiviteti njerëzor, duke përfshirë këtu tkurrjen e habitatit, tregtinë e kafshëve, ndotjen dhe ndryshimet e klimës, janë kontribuesit kryesor në këtë përkeqësim kaq të madh të gjendjes.

“Mendoj se kemi arritur në pikën ku nuk ka më asnjë justifikim për ta lejuar këtë situatë. E dimë cilat janë shkaqet e saj, e dimë shkallën e impaktit që njerëzit kanë mbi natyrën dhe botën shtazore, ndaj dhe tani është në dorën tonë që të hidhemi në veprim”, tha Dr. Mike Barrett.

Ndaj metodologjisë së studimit, që analizon 3.700 specie të ndryshme zogjsh, peshqish, gjitarësh, amfibësh e zvarranikësh, ka pasur megjithatë edhe kritika. Raporti “planeti i gjallë” publikohet një herë në dy vite dhe synon të ofrojë një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes së faunës nëpër botë.

Top Channel