Pagat e gardianëve, Manjani çon kërkesën për rritjen në qeveri

27/10/2016 00:00

Projektvendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për njehsimin e pagave të policisë së burgjeve me atë të rendit në zbatimit të ligjit, i cili nuk zbatohet që nga viti 2008, ka gjetur përkrahjen e ministrit të drejtësisë, Ylli Manjani.

Një ditë pas publikimit në Top Channel të këtij projektvendimi, ministri Manjani e shtroi këtë problematikë në mbledhjen e qeverisë, duke konfirmuar ndërmarrjen e hapave konkret për zbatimin e ligjit për pagat e policisë së burgjeve.

“Jam në kontakte me ministrin e Financave dhe shpresojmë që së shpejti të zgjidhim këtë ngërç, të cilin e kemi të trashëguar, por kjo nuk është alibi, që ne të mos përballemi dhe ta zgjidhim pasi në fund të fundit do të ishte zbatimi i ligjit”, tha Manjani.

Në këtë kontekst, Manjani ka nënvizuar se sektori në fjalë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë kombëtare.

“Është sektor që ka peshën e vetë edhe në çështjen e sigurisë kombëtare, pasi një gabim në këtë sektor mund të këtë pasoja të rënda për sigurinë kombëtare”, u shpreh ministri.

Top Channel