“Vetting”-u ekziston…anglisht! Kushtetuesja do ta përkthejë nga fillimi

27/10/2016 00:00

Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur përkthimi në anglisht i ligjit të “vetting”-ut. Ky është një proces që ndodh me çdo material, që kjo gjykatë e dërgon për opinion në Komisionin e Venecias. Por ndryshe nga çështjet e tjera, për “vetting”-un po kërkohet një përshpejtim, me qëllim që – siç thonë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, – Reforma në Drejtësi të mos ketë vonesa dhe të nisë nga zbatimi.

Megjithatë, Top Channel mësoi se teksti në anglisht ende nuk është gati dhe materiali nuk do të mund të dërgohet në Venecia brenda kësaj jave. Burime në Gjykatën Kushtetuese pohuan për Top Channel se, ligji i “vetting”-ut do të dërgohet në Venecia sapo ai të jetë i përkthyer nga ekspertët e kësaj gjykate.

Në fakt, ekziston një mundësi që teksti i ligjit në anglisht të dërgohet pa vonesë. Ligji i “vetting”-ut është produkt i ekspertëve të “EURALIUS”-it dhe si i tillë është i shkruar në anglisht në formën e vet origjinale.

Top Channel zotëron korrespondencën në anglisht të “e-mail”-eve mes ekspertëve shqiptarë dhe atyre të “EURALIUS”-it në muajin gusht, kur po përgatitej seanca e jashtëzakonshme për miratimin e tij. Në këto “e-mail”-e është jo vetëm projektligji, por janë në anglisht edhe formularët që duhet të plotësojnë ata që i nënshtrohen procesit të “vetting”-ut.

Nuk dihet nëse Gjykata Kushtetuese i disponon këto dokumente parlamentare, por një komunikim mes dy institucioneve mund të ishte zgjidhja më e shpejtë për të fituar kohë. Për shkak të vendimit për pezullimin e ligjit të “vetting”-ut, procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe kontrolli i figurës për gjyqtarët e prokurorët është aktualisht i pamundur.

Dhe rrugën drejt një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mund ta hapë vetëm opinioni nga Komisioni i Venecias. Prandaj, përkthimi dhe dërgimi i shpejtë në Venecia ka marrë tani një rëndësi të pazakontë për një ligj të pazakontë.

Top Channel