HEC-et, Rama: Vetëm dy në Valbonë. PD: Më parë vizitoje Valbonën

27/10/2016 00:00

Kryeministri Rama, në seancën e sotme parlamentare ka folur edhe për çështjen e HEC-eve në disa zona të vendit, ku sipas tij janë shkaktuar një sërë plagësh nga qeverisja e kaluar.

“Ish-kryeministri nga Valbona do ndërtonte aty 11 HEC-e. Edhe në Theth vendosi të ndërtojë 5 HECE-e. Janë plagët që ju shkaktuat me keqqeverisjen tuaj”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka nënvizuar se, 6 HEC-et e Thethit u anuluan nga qeveria e tij, “që ndoqi të gjitha procedurat”.

“Ndërkohë, ne kemi në vëmendjen tonë edhe HEC-et në Valbonë. 2 HEC-e janë kaluar në filtra për ekspertizë nga të huajt, ndërsa 9 të tjerëve nuk u dhamë dritën jeshile”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, në Valbonë nuk do të ndërtohen diga.

Hajdarmataj-Ramës: Veriun vizitoje, pastaj fol

Ndaj deklaratës së kryeministrit ka reaguar deputetja demokrate Mimoza Hajdarmataj. “Zoti kryeministër, si dashamirës i alpinëve, të ftoj të vizitosh për here të parë Valbonën, meqenëse veriun e ke cilësuar gjithmonë magjik. Shko dhe thuaju në besë të malësorit, nëse je për një Valbonë turistike apo energjitike”, ka thënë Hajdarmataj.

Sa për projektin e fasadës urbane, ajo ka thënë se, ajo sjell zero punësim e zero të ardhura për banorët. “Sa për rrugën, atë ua ka bërë Sali Berisha sikurse dhe Rrugën e Kombit. Të falenderojmë që po na e bën të bukur qendrën e Tropojës për shëtitje, por kjo nuk sjell të ardhura për tropojanët që janë në mjerim, të papunë e të pashpresë”, ka thënë Hajdarmataj.

Nga ana tjetër, ka shtuar ajo duke iu drejtuar kryeministrit, “të ftoj t’i dëgjosh me durim tropojanët kur do të thonë hallet e tyre për bagëtitë e dëmtuara nga sëmundja dhe të padëmshpërblyer për shtëpitë e djegura nga mungesa e investimeve në rrjet nga OSSHE, e cila nuk i jep asnjë lek dëmshpërblim”, ka thënë deputetja demokrate.

Ajo ka ftuar dhe ministrin e Bujqësisë “të thotë pse nuk ka asnjë treg në rajon, se Evropa është larg, për eksporitn e arrorëve, gështenjave dhe boronicës”.

Top Channel