Irak, pas Mosulit radha e Rakës; priten luftime të ashpra

27/10/2016 00:00

Mosuli është vetëm fillimi. Rrethimi i Rakës mund të jetë më i ashpri deri tani në luftën kundër Shtetit Islamik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter njoftoi këtë javë se koalicioni anti-ISIS do të lëvizë me të njëjtën ndjesi urgjence edhe në fortesën e grupit ekstremist në Siri.

Por përse do të jetë mësymja e Rakës më e vështirë sesa ajo e qytetit të dytë më të madh të Irakut.

Në disa aspekte, Raka mund të konsiderohet si objektiv ushtarak më i lehtë se Mosuli. Është shumë më e vogël dhe me më pak civilë të rrezikuar nga luftimet.

Sfida më e madhe në rastin e saj është gjetja e trupave që do të marrin pjesë në betejën tokësore kundër ISIS-it. Iraku, pavarësisht historisë së tij të gjatë të konflikteve, është mjaft më i stabilizuar se Siria.

Ekzekutivi qëndror me forcat e tij të sigurisë i bashkërendon gjerësisht veprimet me qeverinë rajonale të rajonit gjysmë autonom kurd kundër armikut të përbashkët, Shtetit Islamik.

Situata në Siri, në kohën kur objektivi i Uashingtonit është eleminimi i ISIS-it në Siri, qeveria e Bashar al Assadit dhe rebelët janë shumë të zënë në përpjekjet për të asgjësuar njëri-tjetrin.

Top Channel