Tërmetet godasin Italinë. Panik i madh në shumë zona

27/10/2016 00:00

Dy lëkundje të forta tërmeti 5,4 dhe 5,9 ballë tronditën sërish Italinë qendrore. Epiqendra këtë herë është regjistruar në komunat Castel Sant’Angelo sul Nera, Visso, Ussita dhe Preci në Marche, por tërmeti u ndie në shumë zona, përfshirë edhe kryqytetin e Romës.

Gjatë natës u evakuua godina madhështore e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mbrojtja Civile bën të ditur se përveç mijëra personave që kaluan natën jashtë banesave nga frika e lëkundjeve, llogaritet që rreth epiqendrës kanë mbetur pa strehë shumë më shumë persona sesa ata që humbën shtëpitë pas tërmetiti të 24 gushtit, po në këto zona.

Aktualisht flitet vetëm për 8 të lënduar, por problemi kryesor mbetet strehimi sepse çadrat tani për tani nuk janë zgjidhja e përshtatshme. Në këto komuna të vogla shumica e banorëve janë të moshuar dhe dimri është në prag. Në zonat e tërmetit sot janë mbyllur shkollat, evakuuar spitalet e burgjet, një pjesë e rrugëve janë bllokuar nga rënia e shkëmbinjve.

Popullata sapo kishte nisur të mëkëmbej nga tërmeti i mëparshëm, prandaj mendohet që këtë herë do të jetë akoma më e rëndë si nga ana materiale, ashtu edhe nga ajo psikologjike.

Gjatë natës dhe mëngjesit janë regjistruar rreth 200 lëkundje. Sipas specialistëve është ulja e Apenineve që mund të ketë sjellë këto lëvizje sizmike. Një situatë që rrezikon të përsëritet e të zgjatet në kohë.

Top Channel